Siç ndodh shpesh në situata të jashtëzakonshme si kjo, qëllimet fisnike çuan në rezultate katastrofike. Modeli i kampit të refugjatëve, që në Itali ekzistonte qysh më përpara, synonte t’u jepte ndihmë humanitare dhe strehë njerëzve që kishin marrë arratinë nga fatkeqësitë natyrore, uria ose luftërat. Kurse shqiptarët që zbarkuan në brigjet e Italisë, të uritur dhe të cfilitur siç ishin, shtyheshin nga motive dhe synime që kishin të bënin fare pak me gjetjen e ushqimit dhe strehimit dhe kishin të bënin shumë me mundësinë për të jetuar si njerëz të lirë.
Ndërsa autoritetet italiane rrinin duke debatuar për t’u dhënë ose jo të sapoardhurve statusin e refugjatit politik apo t’i konsideronin ata si imigrantë të rëndomtë ekonomikë, kampet e refugjatëve po shndërroheshin dalëngadalë në vende dëshpërimi, ku komunikimi midis palëve të përfshira degradoi në absurditet.
Autoritetet italiane i çuan refugjatët shqiptarë në këto institucione totale (siç i quan Goffman-i), dhe i trajtuan këta njerëz si viktima lufte, duke bërë sa kishin mundësi që midis tyre dhe publikut italian në tërësi të mos kishte kontakte. Veprime të tilla sollën një efekt të padëshiruar meqenëse shqiptarët, që kishin ikur nga vendi i tyre në kërkim të lirisë, e panë veten të rrethuar nga gardhet dhe nën kontrollin e autoriteteve me uniformë: ushtria italiane dhe karabinierët.
Shumë prej shqiptarëve që jetojnë sot në Itali u detyruan të kalojnë përmes kësaj përvoje poshtëruese dhe traumatike. Kampet e refugjatëve, që sot pothuajse janë harruar, luajtën një rol të dorës së parë në modelimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe italianëve për vitet në vazhdim. Kjo përfshinte ndjenja armiqësie dhe keqkuptimesh, kontakte me krimin e organizuar dhe, mbi të gjitha, formimin e një qëndrimi shmangës dhe mosbesues tek shqiptarët kundrejt autoriteteve italiane në përgjithësi.